Çerdhja private “YJET” është themeluar në muajin nëntor të vitit 2018, ndërsa ka filluar me punë në muajin shkurt të vitit 2019. Kryen veprimtarinë e kujdesit dhe edukimit të fëmijëve parashkollorë të moshës 2 deri në 6 vjeç, që nënkupton: qëndrim, ushqim, kujdes, edukim, aktivitete sportive-rekreative dhe kulturore-argëtuese, masa dhe aktivitete për ruajtjen e shëndetit dhe mjedisit jetësor, për nxitjen e zhvillimit intelektual, fizik, mendor dhe shoqëror të fëmijëve.
Në çerdhen private “YJET” veprimtaria realizohet sipas Programit për mësim dhe zhvillim të hershëm. Orari i punës është nga ora 7.30 e mëngjesit deri në 16.30, çdo ditë pune, përveç të shtunave, të dielave dhe gjatë festave shtetërore.
Planet dhe programet e çerdhes “YJET” janë në funksion të sigurimit të një popullate të re të shëndetshme, të edukuar dhe të arsimuar. Ato realizohen përmes formave dhe metodave që mundësojnë monitorimin aktiv të punës arsimore-edukative. Gjatë realizimit të programeve synohet të afirmohet roli aktiv i fëmijëve.
Stafi profesional i çerdhes “YJET” është shumë i motivuar për të punuar me fëmijët dhe i hapur për bashkëpunim me prindërit. Për ngritjen dhe zhvillimin e tij profesional organizohen ligjërata, trajnime dhe seminare të ndryshme. Stafi i punësuar garanton qasje profesionale dhe të përgjegjshme në punë, në drejtim të zhvillimit dhe përparimit të fëmijëve, të cilët u janë besuar atyre në përkujdesje dhe për edukim.
Prej muajit tetor të këtij viti (2021), në kuadër të çerdhes “YJET” ka filluar të funksionojë edhe qëndrimi ditor për nxënësit e ciklit të ulët shkollor (6 deri në 11 vjet), ku përfshihen ushqimi, kryerja e detyrave të shtëpisë dhe mësimet shtesë, si dhe transporti për në shkollë ose anasjelltas.